Vrasja e Vladimir Topjanës në Itali – Babë e bir lihen në burg, dyshohet konflikt për pronë në Shqipëri

Gjykata e Trevisos në Itali ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Rogert Shotën, autorin e dyshuar të vrasjes së Vladimir Topjanës, si dhe për babanë e tij, Pren Shotën. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin italian Fontanafredda, ku 43-vjeçari Topjana u qëllua me dy plumba, një prej të cilëve në kokë, brenda lokalit “Bar Sporting Milan”.

Sipas hetimeve të para dhe burimeve nga mediat italiane, shkak i konfliktit mes dy familjeve dyshohet të ketë qenë një pronë në Shqipëri. Edhe pse Rogert Shota u dorëzua menjëherë pas krimit, ai nuk ka treguar motivin e saktë përpara gjykatës, duke u mjaftuar me deklarata spontane gjatë seancës gjyqësore.

Ndërkohë, 66-vjeçari Pren Shota ka mohuar të ketë qenë i pranishëm në momentin e debatit të parë që ndodhi në Sacile. Ai ka deklaruar se kishte planifikuar të ndiqte ndeshjen Roma–Juventus, por u lajmërua nga i biri pas incidentit të parë.

Pas incidentit në Sacile, babë e bir shkuan në një tjetër lokal në Fontanafredda, ku debati u përshkallëzua tragjikisht. Në momentin e përplasjes, thuhet se viktima e ka kafshuar autorin në vesh, çka ka çuar në përdorimin e armës nga ana e Rogert Shotës.

Hetimet e autoriteteve italiane janë ende në vijim, ndërsa dy të ndaluarit përballen me akuza të rënda për vrasje të qëllimshme dhe posedim armësh pa leje

Avatar photo
Arveni Avdulaj
10 Prill, 16:33 | Përditësimi: 10 Prill, 16:33