
Nga sot, Shqipëria dhe Izraeli janë më të lidhura se kurrë, me nisjen e fluturimeve direkte midis Tiranës dhe Tel Avivit nga linja ajrore izraelite Sundor.
Në orët e para të mëngjesit, pasagjerët e parë mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku u pritën nga përfaqësues të lartë të aeroportit dhe Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar. Shumë prej tyre u shprehën entuziastë për mundësinë e eksplorimit të një destinacioni të ri.
“Kjo linjë ajrore nuk është vetëm një rrugë mes dy shteteve, por një urë që lidh dy popuj. Izraeli është një treg me potencial të madh për turizmin dhe shpresojmë që ky të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi të suksesshëm,” tha Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i TIA-s.
Nga ana e tij, Drejtori i Aviacionit Civil Shqiptar, Maksit Et’hemaj, e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Jemi krenarë që mirëpresim një operator prestigjioz si Sundor El Al, si rezultat i një pune të përbashkët dhe të vazhdueshme. Turistët izraelitë do të largohen me kujtime të bukura nga Shqipëria, dhe ky fluks pritet të rritet ndjeshëm në muajt në vijim,” u shpreh Et’hemaj.
Edhe ambasadorja izraelite në Shqipëri, Galit Peleg, e vlerësoi hapjen e kësaj linje si një mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Lidhjet mes Shqipërisë dhe Izraelit kanë qenë gjithmonë të veçanta, por tani kemi edhe një lidhje fizike – një fluturim direkt. Jam e bindur se Sundor Airlines do të sjellë më shumë qytetarë izraelitë në Shqipëri dhe do të çojë më shumë shqiptarë në Izrael. Kjo linjë do të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe do të japë një shtysë të re për turizmin,” tha ambasadorja.
Fluturimet Tiranë-Tel Aviv do të operohen tre herë në javë, duke ofruar më shumë mundësi udhëtimi për turistët, biznesmenët dhe komunitetet shqiptare e izraelite.