
Me firmën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, qeveria miratoi më 12 mars 2025 një vendim që kalon shoqërisë shtetërore “KAYO” pronësinë e godinave të ish-Uzinës së Autotraktorëve, të cilat ndodhen në zonën e Shkozës, Tiranë. Ky vendim ka shkaktuar reagime të forta, pasi sipas Partisë Demokratike, ai përbën një shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, pasi, siç thonë ata, vetëm Këshilli Bashkiak ka të drejtën për të autorizuar veprimet në lidhje me pronat në pronësi të Bashkisë Tiranë.
PD e denoncoi vendimin, duke paralajmëruar se do ta çojë dosjen në SPAK dhe kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak të Tiranës për të shqyrtuar këtë çështje. Partia ka depozituar një kërkesë për mbledhjen urgjente në Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se vetëm Këshilli Bashkiak mund të miratojë veprime të tilla.
Këshilltarët demokratë i janë drejtuar kryetarit të Këshillit Bashkiak, Romina Kuko, kryebashkiakut Erion Veliaj, dhe Prefektit të Tiranës, Afrim Qëndro, për të futur këtë çështje në rendin e ditës të mbledhjes më të parë të Këshillit Bashkiak.
Kërkesa e PD për trajtimin e çështjes në Këshillin Bashkiak
Kërkesa e PD-së kërkon futjen në rend dite të trajtimit të çështjes së revokimit nga Këshilli i Ministrave të së drejtës së pronësisë së Bashkisë Tiranë dhe transferimin e pronësisë te Shoqëria Shtetërore “KAYO”. Sipas PD, ky vendim është në shkelje të Ligjit Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” dhe Rregullores për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Kërkohet gjithashtu informacion pse programet arsimore dhe sociale-kulturore të parashikuara për këtë zonë, për të cilat është bërë kalimi i pronësisë në vitin 2017, nuk janë realizuar ende. Kjo kërkesë është firmosur nga Prof. Asc. Ilir Alimehmeti, Kryetar i Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës.