Gati tarifimi në Tunelin e Llogarasë, drejt përfundimit testimet teknike

Screenshot

Procesi për vendosjen e sistemit të pagesës në Tunelin e Llogarasë ka hyrë në fazën finale. Gjatë ditës së sotme janë kryer testet e fundit për funksionimin e plotë të pajisjeve, duke përfshirë kamerat e sigurisë, sistemet elektronike të kontrollit dhe infrastrukturën mbështetëse.

Verifikimet synojnë të garantojnë një procedurë të qetë dhe efikase në momentin e nisjes së tarifimit, i cili pritet të hyjë në fuqi brenda këtij muaji, duke mbyllur periudhën e kalimit falas.

Sipas të dhënave paraprake, tarifat do të jenë të diferencuara sipas kategorive të mjeteve:

100 lekë për motomjetet
250 lekë për automjetet
500 lekë për mjete me karroceri
1000 lekë për furgonë dhe autobusë
deri në 5000 lekë për mjetet e rënda me rimorkio
Vendosja e tarifave pritet të shoqërohet me reagime nga qytetarët, të cilët deri më tani e kanë përdorur tunelin pa pagesë. Ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse do të aplikohen lehtësi apo tarifa të reduktuara për banorët rezidentë.

Tuneli i Llogarasë mbetet një investim strategjik për infrastrukturën rrugore, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin drejt jugut të vendit, shkurtuar kohën e udhëtimit dhe rritur sigurinë në këtë aks të rëndësishëm.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
6 April, 15:19 | Përditësimi: 6 April, 15:19