Partia Komuniste e Kubës ka thyer heshtjen duke konfirmuar zyrtarisht se gjatë operacionit “blic” të forcave amerikane në Karakas, kanë mbetur të vrarë 32 efektivë kubanezë, të cilët shërbenin si rrethi i fundit dhe më i besuar i sigurisë për Nicolas Maduron.
Në një postim në platformën X, Havana ka publikuar emrat dhe fotot e të rënëve, duke i nderuar ata si dëshmorë të “agresionit imperialist”.
“Terrorizëm Shtetëror”
Reagimi i Kubës ka qenë i ashpër, duke e cilësuar ndërhyrjen e SHBA-së si një shkelje flagrante të sovranitetit.
“Viktima të një akti të ri kriminal agresioni dhe terrorizmi shtetëror, të kryer kundër Republikës Bolivariane simotër të Venezuelës nga Shtetet e Bashkuara,” shkruhet në deklaratë.
Luftimet e ashpra
Detaji më i rëndësishëm i deklaratës është konfirmimi i përplasjes së armatosur. Partia Komuniste thekson se 32 kubanët “kanë humbur jetën në luftime dhe pas rezistencës së ashpër”.
Kjo dëshmi përforcon raportimet se siguria fizike e Maduros i ishte besuar prej vitesh shërbimeve sekrete dhe forcave speciale kubane, pasi diktatori venezuelian nuk kishte besim të plotë te garda e tij vendase. Për Havanën, këta ushtarë ranë duke mbrojtur “Revolucionin Bolivarian”.
