Marrëveshja Rama-Meloni po përballet me një betejë të ashpër ligjore, këtë herë për faturën e saj financiare. Organizata ActionAid ka dorëzuar një dosje voluminoze në Gjykatën e Llogarive në Romë, duke denoncuar atë që e quan një shpërdorim skandaloz të parave publike.
Sipas raportit, kostot e ndërtimit janë dyfishuar në 74 milionë euro, ku vetëm një shtrat për emigrantët në Shqipëri ka kushtuar 72 mijë euro. Organizata thekson se operimi ditor i kampeve në Gjadër kushton deri në 18 herë më shtrenjtë se strukturat e ngjashme në Sardenjë, ndërsa milionat po devijohen nga shëndetësia dhe arsimi italian për të mbajtur në këmbë një projekt që po rezulton joefektiv dhe i zbrazët.
