Hetim ndaj rrjeteve të financimit liberal në SHBA, në fokus organizatat e lidhura me George Soros

Administrata amerikane ka nisur një hetim të ri për rrjetet që financojnë aktivitetet politike liberale në vend, me synimin për të verifikuar burimet e financimit dhe përdorimin e fondeve nga organizatat jofitimprurëse.

Njësia kriminale e Shërbimit të Brendshëm të Tatimeve (IRS-CI), e njohur për hetimet e saj financiare, pritet të marrë një rol kyç në këtë operacion, me qendër në selinë e IRS-së në “Constitution Avenue”. Agjentët e saj do të përdorin metoda të ngjashme me ato të ndjekura dikur kundër figurave të krimit të organizuar, si Al Capone.

Burime pranë administratës bëjnë me dije se objektivi i hetimeve përfshin grupe dhe fondacione të majta, përfshirë edhe ato të lidhura me filantropin miliarder George Soros. Qëllimi është rishikimi i statusit të përjashtimit nga tatimi për disa organizata jofitimprurëse dhe kontrolli i mundshëm i transaksioneve financiare të dyshimta.

Hetimi mund të shtrihet edhe në institucione të tjera federale si Departamenti i Drejtësisë, FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare, përfshirë survejime dhe veprime ligjore sipas ligjeve anti-terrorizëm dhe atyre kundër organizatave kriminale.

Nga ana tjetër, rrjeti i fondeve bamirëse të Soros ka mohuar çdo përfshirje në financimin e dhunës apo protestave politike, duke theksuar se aktivitetet e tyre kanë karakter vetëm filantropik.

Hetimi vjen përpara protestave të mëdha kombëtare të paralajmëruara në SHBA, ndërsa autoritetet federale paralajmërojnë masa për ndalimin e financimeve të paligjshme që mund të lidhen me nxitje të dhunës politike.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
18 Tetor, 14:31 | Përditësimi: 18 Tetor, 14:31