18 kilometra i gjatë, tuneli në fund të detit që po ndryshon hartën e Europës

Një projekt gjigant infrastrukture pritet të transformojë ndjeshëm rrjetin e transportit dhe tregtinë mes dy vendeve kyçe të Europës Veriore. Bëhet fjalë për Tunelin Fehmarnbelt, një vepër madhore inxhinierike që do të lidhë Danimarkën me Gjermaninë përmes një tuneli 18 kilometra të gjatë nën det.

Ndryshe nga Eurotuneli që kalon nën Kanalin Anglez, Fehmarnbelt nuk do të gërmohet në tokë të fortë. Ai po ndërtohet përmes seksioneve gjigante prej betoni të parapërgatitura, të cilat vendosen në një hendek të gërmuar në fund të detit, lidhen mes tyre dhe mbulohen për të krijuar një strukturë të plotë dhe të qëndrueshme.

Tuneli do të shërbejë jo vetëm për transportin rrugor, por do të ketë gjithashtu dy linja hekurudhore të elektrifikuara, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjen e pasagjerëve dhe mallrave mes dy vendeve.

Seksionet e para të tunelit janë prodhuar tashmë në fabrikën daneze të Rødbyhavn, duke përfunduar një fazë kyçe të projektit. Çdo seksion ka një gjatësi prej 217 metrash, gjerësi 42 metra dhe thellësi 9 metra, me një peshë prej rreth 73 mijë tonësh. Përfundimi i plotë i projektit është parashikuar për vitin 2029.

Kur të përfundojë, koha e udhëtimit nga Danimarka në Gjermani do të reduktohet ndjeshëm, nga 45 minuta me traget në vetëm 10 minuta me makinë dhe 7 minuta me tren. Udhëtimi nga Hamburgu në Kopenhagë pritet të zgjasë rreth 2.5 orë, në vend të 5 orëve aktuale.

Ky projekt pritet të ketë ndikim të gjerë ekonomik, duke nxitur turizmin dhe krijuar mundësi të reja punësimi, veçanërisht në zonat përreth që, megjithëse më pak të zhvilluara se Kopenhaga, do të përfitojnë ndjeshëm nga kjo lidhje moderne dhe efikase.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
4 April, 16:04 | Përditësimi: 4 April, 16:04