Trump shpall Epokën e Artë të Marinës: Urdhëron ndërtimin e luftanijeve Trump-class, më të fuqishmet në histori

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, ka zyrtarizuar planin ambicioz për zgjerimin e fuqisë detare amerikane përmes ndërtimit të një klase të re luftanijesh. Të pagëzuara si “Trump-class”, këto mjete lundruese janë prezantuar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë si anijet më të mëdha dhe më të shpejta në historinë botërore.

USS Defiant dhe projekti “Golden Fleet”

Sipas raportimeve të agjencisë “Reuters”, anija flamurtare e kësaj flote të re do të mbajë emrin USS Defiant. Plani fillestar parashikon ndërtimin e menjëhershëm të dy njësive në kantieret detare amerikane, ndërsa projekti në tërësi synon ndërtimin e 10 luftanijeve, me mundësi zgjerimi deri në 20-25 njësi në fazat e mëvonshme.

Kjo nismë është pjesë e strategjisë së gjerë të quajtur “Golden Fleet” (Flota e Artë), e cila krahas gjigantëve të detit, përfshin edhe shtimin e fregatave të një klase më të vogël dhe me manovrueshmëri të lartë.

Fuqi zjarri e paprecedentë

Gjatë njoftimit, Presidenti Trump deklaroi: “Do të jenë më të mëdha, më të shpejta dhe 100 herë më të fuqishme se çdo gjë e ndërtuar më parë”.

Sekretari i Marinës Amerikane, John Phelan, dha detaje teknike mbi kapacitetet luftarake, duke konfirmuar se këto anije do të mbajnë armatimin më të rëndë të vendosur ndonjëherë në një mjet lundrues amerikan.

“Ndërtimi i flotës së re do të rezultojë në më shumë tonazh dhe fuqi zjarri nën ndërtim se në çdo moment tjetër të historisë,” tha Phelan, duke saktësuar se arsenali do të përfshijë edhe raketa lundruese të lëshuara nga deti me kapacitet bërthamor.

Përveç rëndësisë ushtarake, projekti është projektuar edhe si një motor ekonomik, pasi sipas administratës, komponentët e anijeve do të prodhohen në çdo shtet të SHBA-së.

Avatar photo
Albin Hoxha
23 December, 11:17 | Përditësimi: 23 December, 11:19