Netanyahu u bën thirrje banorëve të Qytetit të Gazës të largohen menjëherë, Izraeli përshkallëzon ofensivën ushtarake.

Netanyahu u thotë banorëve të Qytetit të Gazës të “largohen menjëherë”

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka bërë thirrje banorëve të Qytetit të Gazës të evakuohen menjëherë, teksa ushtria izraelite po përshkallëzon ofensivën në qendrën më të madhe urbane të territorit palestinez.

Izraeli ka intensifikuar bombardimet ndaj qytetit në Rripin e Gazës, në përgatitje të një operacioni tokësor për të marrë kontrollin e plotë të tij, pavarësisht thirrjeve të shteteve perëndimore dhe agjencive ndërkombëtare të ndihmës për të ndalur këtë plan.

Sipas agjencisë për mbrojtje civile në Gazë, të paktën 39 persona humbën jetën nga bombardimet izraelite të hënën, më 8 shtator, mes tyre 25 vetëm në Qytetin e Gazës.

Paralajmërimi i Netanyahut erdhi disa orë pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse ndaj civilëve në Jerusalem që nga nisja e luftës në vitin 2023. Dy sulmues palestinezë hapën zjarr në një autobus, duke vrarë gjashtë persona, sipas autoriteteve izraelite.

Policia izraelite tha se dy sulmuesit u vranë nga forcat e sigurisë dhe një civil i armatosur që ndodhej në vendngjarje.

Pas sulmit, Netanyahu deklaroi: “Të jemi të qartë, këta vrasës e forcojnë vendosmërinë tonë për të luftuar terrorizmin”.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
9 September, 08:15 | Përditësimi: 9 September, 08:15