Serbia dorëzohet pas humbjes 0-5 me Anglinë: Shqipëria vendos stadiumin e ndeshjes, Beograd apo Leskovac

Fitorja e Shqipërisë 1-0 ndaj Letonisë dhe humbja e rëndë e Serbisë 0-5 ndaj Anglisë në Beograd kanë përmbysur skenarin e Grupit në eliminatoret e Botërorit. Nëse më parë ky grup shihej si “mallkim” për kuqezinjtë, tashmë po shihet si një shans historik për të përsëritur suksesin e Europianit.

Trazirat e ndodhura në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi–Angli kanë tronditur Federatën serbe, ndërsa FIFA po shqyrton mundësinë për ta dënuar Serbinë me zhvillimin e ndeshjes kundër Shqipërisë pa tifozë.

Megjithatë, para vendimit të FIFA-s, Serbia ka bërë një lëvizje të papritur: ka kërkuar që ndeshja me Shqipërinë të mos zhvillohet në Beograd, por në stadiumin e Leskovacit, që ka vetëm 8000 vende. Arsyeja është shmangia e një tjetër kaosi të mundshëm dhe ulja e riskut për dënim në tavolinë.

Por sipas rregullores së UEFA-s, ndryshimi i stadiumit nuk mund të bëhet vetëm me kërkesën e Serbisë. Përfaqësuesja e Shqipërisë ka të drejtën e vetos, pra vendimi përfundimtar është në dorën e Federatës Shqiptare të Futbollit. Nëse Shqipëria pranon, ndeshja do të luhet në Leskovac. Nëse refuzon, ajo mbetet në Beograd.

Ky skenar ka vendosur kuqezinjtë përpara një dileme të madhe:

  • Beogradi, me mbi 50 mijë tifozë, garanton presion të jashtëzakonshëm mbi skuadrën tonë, por rrit shanset për trazira dhe një dënim të mundshëm për Serbinë.
  • Leskovaci, me vetëm 8000 tifozë, është një ambient më i qetë, me më pak presion, por aty gjithçka do të vendoset vetëm në fushën e lojës.

Aktualisht, FSHF nuk ka marrë ende një vendim, duke pritur fillimisht verdiktin e FIFA-s mbi çështjen e mbylljes së stadiumit të Beogradit për tifozët. Vetëm pas kësaj, Shqipëria do të vendosë ku do të zhvillohet sfida më e rëndësishme e kualifikueseve.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
13 Shtator, 08:49 | Përditësimi: 13 Shtator, 08:49