Detaje tronditëse kanë dalë nga dosja hetimore për klinikën estetike “International Medicare Hospital”, e njohur edhe me emrin “Sante Plus”, që operonte pranë zonës së Zogut të Zi në Tiranë. Hetimet e policisë zbulojnë një skemë mashtrimi ndaj pacientëve, ku pas fasadës së një spitali modern, mungonin kushtet minimale dhe personeli i specializuar.
Një shtetas portugez ka qenë një nga viktimat e para që denoncoi klinikën. Ai tregoi se në prill të vitit 2024 kishte kontaktuar spitalin privat për tre ndërhyrje kirurgjikale estetike. Për këtë qëllim, gjatë një periudhe disa mujore, ai kishte paguar gjithsej 5200 euro. Megjithatë, asnjë nga operacionet nuk u realizua. Pacienti u sorollat për afro një vit me premtime dhe shtyrje të datave, ndërkohë që shuma e parave nuk iu kthye kurrë.
Sipas dëshmisë së tij, pagesat ia kishte dorëzuar një punonjëse të klinikës, Xhuana Likos, e cila prezantohej si drejtoreshë. Por gjatë marrjes në pyetje, ajo ka deklaruar se nuk ishte drejtoreshë, por thjesht recepsioniste, e udhëzuar nga pronarët e klinikës që të paraqitej si drejtuesja kryesore.
Hetimet zbuluan se pas klinikës fshiheshin shtetasi turk Bilal Kara, 45 vjeç, që aktualisht ndodhet në Turqi, dhe Geriana Arapi, 32 vjeçe, që jeton në Maqedoninë e Veriut. Ata kishin udhëzuar Likos të mashtronte pacientët me identitet të rremë.
Skandali thellohet edhe më shumë pas kontrollit të policisë në ambiente, ku u gjetën medikamente të skaduara, preparate të ndaluara për shitje, si dhe produkte të rrezikshme për shëndetin e pacientëve.
Detaji më tronditës i hetimit është fakti se klinika nuk kishte as kirurg të licencuar. Madje, sipas dosjes hetimore, drejtimin faktik të saj e kishte marrë një kuzhinier, i cili nuk kishte asnjë lidhje me fushën e mjekësisë.
Ky rast ka ngritur shqetësime serioze mbi kontrollin dhe monitorimin e institucioneve private shëndetësore, duke lënë hapur pyetje mbi sigurinë e pacientëve dhe tolerancën e autoriteteve përballë abuzimeve të tilla
