
ALARM në aeroportin Heathrow: Evakuohet Terminali 4, dyshohet për materiale të rrezikshme
Një alarm është dhënë mbrëmjen e së hënës (8 shtator) në aeroportin Heathrow të Londrës, ku Terminali 4 është evakuuar si masë sigurie, pas dyshimeve për prani të materialeve të rrezikshme.
Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësi i aeroportit bëri me dije:
“Check-in-i në Terminalin 4 është mbyllur dhe zona është evakuuar, ndërsa shërbimet e emergjencës po reagojnë ndaj një incidenti. U kërkojmë pasagjerëve të mos udhëtojnë drejt Terminalit 4 dhe po mbështesim ata që ndodhen në vendngjarje. Të gjitha terminalet e tjera po funksionojnë normalisht. Do të japim informacione të tjera sa më shpejt të jetë e mundur.”
Nga Brigada e Zjarrfikësve të Londrës u konfirmua se ekipe të specializuara janë vendosur në terren:
“Zjarrfikësit po reagojnë ndaj një incidenti të mundshëm që përfshin materiale të rrezikshme në Aeroportin Heathrow. Një pjesë e aeroportit është evakuuar si masë paraprake.”
Në vendngjarje ndodhen ambulanca, policia dhe forcat e zjarrfikësve, ndërsa pasagjerët janë larguar në mënyrë të organizuar nga terminali.
Deri tani, nuk raportohet për persona të lënduar dhe autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje mbi natyrën e materialit të dyshuar si të rrezikshëm.