Me skafandër e pistoletë në dorë, Ragip Gila kreu masakrën në Shkodër: 2 të vrarë, 2 të plagosur, arrestohet pas ndjekjes.

Masakra në Shkodër: Ragip Gila me skafandër dhe pistoletë ekzekuton dy persona, plagos dy të tjerë

Publikohen pamjet e Ragip Gilës, autorit të dyshuar të masakrës në Shkodër, i cili pas krimit u largua me vrap, i veshur me skafandër motorri dhe me pistoletë në dorë.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së hënës (8 shtator) në ambientet e një lokali në qendër të Shkodrës. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso – që dyshohet të ketë qenë objektivi i atentatit – dhe kamarierja Meri Kaceri, e cila ndodhej rastësisht aty.

Pas krimit, Gila u largua fillimisht në këmbë, duke braktisur motorin. Më pas ndaloi një qytetar dhe, nën kërcënimin e armës, i mori makinën tip BMW gri, me të cilën u arratis në rrugët e Shkodrës. Gjatë ndjekjes nga policia, ai u përfshi në një aksident dhe e braktisi automjetin, duke tentuar të ikte në këmbë drejt lumit Kir.

Forcat e rendit arritën ta arrestonin pas disa minutash ndjekjeje, pasi ai ra nga një lartësi dhe pësoi dëmtim në këmbë. Në momentin e kapjes, Gila u shpreh: “E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë.”

Në dëshminë e parë përpara hetuesve, 30-vjeçari deklaroi se objektivi i tij ishte vetëm Erogen Vaso, me të cilin kishte një konflikt personal, ndërsa viktimat e tjera nuk kishin qenë në shënjestër.

Policia po heton nëse Gila ka vepruar i vetëm apo ishte pjesë e një skenari të organizuar nga persona të tjerë.

Ky nuk është kontakti i parë i tij me drejtësinë: në dhjetor 2023, gjatë operacionit “Imazhi fals”, Gila u arrestua në Shkodër me arsenal armësh, jelekë antiplumb, maska dhe sasi droge, për të cilat akuzohej për lidhje me grupe kriminale.

Viktimat e ngjarjes së fundit janë:

  • Armando Pali, punonjës i IKMT-së dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër.
  • Liridon Kraja (Lushi), 31 vjeç.

Ndërsa të plagosurit janë:

  • Erogen Vaso (Brajoviç), 43 vjeç, aktualisht në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
  • Meri Kaceri, 25 vjeçe, e plagosur lehtë.

Policia ka sekuestruar armën e krimit dhe vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
9 September, 08:18 | Përditësimi: 9 September, 08:18