Boom” emigrantësh në Shqipëri, të huajt nëntëfishohen në 20 vite

nga 2.378 leje qëndrimi në 2005, në mbi 21.900 në 2024

Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ka njohur një rritje të fortë përgjatë dy dekadave të fundit. Nga vetëm 2.378 shtetas të huaj në vitin 2005, ky numër ka arritur në mbi 21,9 mijë në vitin 2024, duke reflektuar një transformim të dukshëm të vendit si destinacion pritës për komunitete të ndryshme të huaja.

Ky zhvillim pasqyron jo vetëm ndryshimet ekonomike dhe demografike të Shqipërisë, por edhe rolin e saj në flukset migratore rajonale dhe globale. Nëse në vitet e para dominonte dukshëm Europa, sot tabloja është më e larmishme, me një rikthim të fortë të Azisë dhe një rritje graduale të Afrikës.

Europa – burimi kryesor, por me peshë në rënie

Në vitet 2005–2006, europianët përbënin rreth 74% të të huajve me leje qëndrimi. Megjithëse Europa vijon të mbetet kontinent kryesor, pesha e saj është ulur në 65.5% në vitin 2024. Kjo tregon një diversifikim të qartë të profilit të të huajve që vendosen në Shqipëri.

Azia – rritje e vrullshme pas një dekade rënieje

Në vitin 2005, Azia përfaqësonte 29% të të huajve, por kjo peshë ra në vetëm 10% në vitin 2012. Pas vitit 2015, u regjistrua një rikthim i fortë: në vitet 2016–2018 aziatikët zinin rreth 28% të totalit. Edhe pse pati një rënie në vitin 2022 (14.6%), deri në vitin 2024 shifra u ngjit sërish mbi 20%, duke e bërë Azinë kontinentin e dytë më të rëndësishëm pas Europës.

Afrika – rritje graduale dhe e qëndrueshme

Nga një peshë modeste prej 3–4% në fillim të periudhës, Afrika ka shënuar një ngjitje të qëndrueshme, duke arritur në 6.9% në vitin 2024. Këto prurje lidhen kryesisht me emigracionin ekonomik dhe kërkesat për azil nga Afrika Veriore dhe ajo Subsahariane.

Amerika – prani e qëndrueshme, por në rënie relative

Në vitin 2005, shtetasit nga Amerika përbënin 17% të të huajve në Shqipëri. Sot, kjo peshë ka rënë ndjeshëm, duke u stabilizuar mes 6–7% në vitet 2023–2024. Rënia lidhet me mungesën e një fluksi të ri, ndërkohë që komunitetet ekzistuese mbeten relativisht të qëndrueshme në numër.

Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një vend të hapur për prurje të huaja, jo vetëm nga Europa, por edhe nga Azia dhe Afrika. Ky diversifikim reflekton rolin e vendit si një nyje tranziti e rëndësishme dhe një destinacion me potencial në rajon.