
Rreziku nga zjarret në Gramsh është zhvendosur në zona të reja që nga mbrëmja e së mërkurës, duke përfshirë fshatin Ermenj në Njësinë Administrative Skënderbegas, si dhe Teqen e Dushkut, ku raportohen disa vatra aktive.
Dendësia e pyjeve po e vështirëson ndërhyrjen e ekipeve të emergjencave civile për izolimin e flakëve.
Aktualisht, pylli në pjesën e sipërme të fshatit, në krahun lindor, vijon të digjet ndërsa nëse zjarri nuk vihet nën kontroll, ekziston rreziku që ai të përhapet në territorin e Prefekturës së Korçës.
Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit janë zhvilluar ndërhyrje në pyllin me pisha që shtrihet drejt fshatit Nartë, duke arritur të ndalet avancimi i flakëve në këtë drejtim.
Në Njësinë Administrative Kukur, situata mbetet problematike, megjithatë ekipet e emergjencës arritën të frenojnë përhapjen e zjarrit gjatë natës.
Ndërkohë, vatra në Njësinë Administrative Kodovjat është mbajtur nën monitorim pa u riaktivizuar.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë djegur 42 banesa në Skënderbegas dhe fshatra të tjerë, 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, 1 thundrak, 80 koshere bletësh dhe dhjetëra shpendë.
Për të shmangur rrezikun e shpërthimit të ndonjë epidemie, autoritetet kanë nisur groposjen e kafshëve të ngordhura, ndërsa shërbimi veterinar po kryen procesverbalet përkatëse.
Numri i të evakuuarve ka arritur në 46 persona, pasi mbrëmë u strehuan edhe 6 banorë të tjerë në konviktin shtetëror, përveç 40 të evakuuarve të një dite më parë.
Në terren janë angazhuar 50 efektivë të ushtrisë, 7 mjete zjarrfikëse dhe rreth 200 vullnetarë. Bilanci paraprak tregon se rreth 10 fshatra në territorin e Gramshit janë prekur nga flakët, ndërsa në Bletëz dhe Shëmbërdhenj dëmet janë totale.
Autoritetet lokale dhe qendrore u bëjnë apel banorëve për kujdes dhe bashkëpunim, ndërsa operacionet për shuarjen e zjarreve do të vijojnë gjatë gjithë ditës.