
Në Vlorë, rruga Bëstrov–Bunavi po shndërrohet në një shembull tipik të keqqeverisjes dhe abuzimit me fondet publike. Pas investimit elektoral të shtruarjes së asfaltit, autoritetet vendore kanë lejuar heqjen e tabelave që ndalonin kalimin e mjeteve me tonazh të rëndë, duke rrezikuar seriozisht qëndrueshmërinë e rrugës.
Ironia më e madhe është se tani, pas përfundimit të asfaltimit dhe vijëzimit “për foto”, pushteti lokal është kujtuar për ndërtimin e mureve mbajtëse — punime që çdo inxhinier minimalisht i kualifikuar do t’i bënte para shtrimit të rrugës, e jo pas tij.
Për më tepër, rruga është me një sens kalimi, pa hapësira anësore për ndalim në rast të takimit të dy mjeteve, duke e kthyer qarkullimin në një rrezik të përditshëm për drejtuesit e automjeteve. Ky është një tjetër rast ku interesat elektorale dhe mungesa e planifikimit teknik kanë marrë përparësi ndaj sigurisë dhe standardeve.