
Një avion pasagjerësh i kompanisë Iberia është detyruar të bëjë një ulje emergjente në Madrid, pasi gjatë ngritjes është përplasur me një zog të madh, duke pësuar dëmtime serioze në pjesën e përparme.
Një incident i pazakontë ka ndodhur këtë pasdite në qiellin mbi Madrid. Fluturimi IB579 i linjës ajrore “Iberia”, që ishte nisur drejt Parisit nga Aeroporti Adolfo Suárez Madrid-Barajas, u detyrua të kthehej dhe të bënte ulje emergjente vetëm pak minuta pas ngritjes. Shkaku? Përplasja me një zog gjigant, që ka shkaktuar dëmtime të rënda në pjesën e përparme të avionit.
Pamjet e publikuara tregojnë qartë dëmtimet në hundën e avionit, ku një pjesë e madhe e materialit është shkëputur pas goditjes. Të dhënat e FlightRadar konfirmojnë se pas incidentit, avioni bëri një qark të shkurtër në ajër mbi Madrid dhe u ul në pistë brenda një ore.
Fatmirësisht, asnjë prej pasagjerëve dhe ekuipazhit nuk u lëndua, por rasti ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e fluturimeve, sidomos në zonat ku ndodhen koloni zogjsh të mëdhenj.
Ky është vetëm një nga problemet që ka goditur industrinë ajrore këtë javë. Aeroportet më të mëdha në Britani, si Heathrow, Gatwick, Manchester, Edinburgh dhe Birmingham, janë përballur me pezullime masive fluturimesh, duke lënë mijëra udhëtarë të bllokuar dhe të frustruar.
Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për incidentin, ndërsa kompania Iberia njoftoi se do të bëjë zëvendësimin e avionit dhe sistemimin e pasagjerëve në fluturime alternative