SHBA vendos garanci deri në 15,000 dollarë për vizat turistike – në fuqi pas dy javësh

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka njoftuar një masë të re për aplikantët e vizave turistike dhe biznesi, të cilët mund të detyrohen të dorëzojnë një garanci financiare që shkon deri në 15,000 dollarë.

Ky ndryshim do të hyjë në fuqi pas dy javësh dhe do të zbatohet përmes një programi pilot 12-mujor. Garancia do të kërkohet nga shtetas të vendeve që konsiderohen me rrezik të lartë për qëndrime të paligjshme pas skadimit të vizës ose që nuk kanë kontrolle të mjaftueshme të dokumenteve të brendshme. Shuma e garancisë do të variojë nga 5,000 deri në 15,000 dollarë, në varësi të rastit.

Kjo iniciativë vjen si pjesë e masave të reja të administratës së presidentit Donald Trump për të forcuar kontrollin e emigracionit. Javën e kaluar, DASH njoftoi gjithashtu se shumë aplikantë për rinovimin e vizave do të duhet të kryejnë një intervistë personale, e cila më parë nuk ishte e detyrueshme.

Gjithashtu, është propozuar që të gjithë aplikantët për Lotarinë Amerikane të posedojnë pasaportë të vlefshme të vendit të tyre të shtetësisë në momentin e aplikimit.

Ky ndryshim është i motivuar nga qëllimi për të shmangur përgjegjësinë financiare të Qeverisë amerikane në rastet kur vizitorët nuk i përmbahen kushteve të qëndrimit të tyre.