Trump vendos nëndetëse bërthamore pas deklaratave të Rusisë: Fjalët sjellin pasoja të paparashikuara – shënjestron Medvedevin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave të zyrtarëve rusë, duke njoftuar vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore amerikane në pozicione strategjike.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump kritikoi ashpër ish-presidentin rus Dmitry Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, duke e akuzuar për “deklarata jashtëzakonisht provokuese” që, sipas tij, mund të përshkallëzojnë tensionet mes dy vendeve.

“Kam urdhëruar vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore në zonat e duhura, në rast se këto deklarata provokuese dhe nxitëse nuk janë vetëm fjalë,” shkruan Trump.

Ai paralajmëron se “fjalët kanë rëndësi dhe shpesh çojnë në pasoja të paparashikuara”, duke lënë të kuptohet se retorika ruse mund të ketë pasoja reale në terren.

Ky zhvillim vjen pas komenteve të Medvedev, i cili deklaroi se Rusia është në rrugën e duhur dhe nuk do të heqë dorë nga politikat e saj, përfshirë qëndrimet ndaj SHBA-së dhe tarifave ndërkombëtare. Trump reagoi duke i cilësuar këto komente si të papërgjegjshme dhe nxitëse të konfliktit.

“Shpresoj që ky të mos jetë një nga ato raste ku fjalët sjellin pasoja. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje,” përfundoi postimi i Trump.

Ky reagim i presidentit amerikan vjen në një kohë kur marrëdhëniet SHBA–Rusi janë të tensionuara dhe vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te kërcënimet e mundshme gjeopolitike dhe siguria bërthamore.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
2 Gusht, 07:52 | Përditësimi: 2 Gusht, 07:52