
Japonia është përfshirë nga një situatë emergjente pas tërmetit më të fuqishëm të regjistruar ndonjëherë në historinë e saj moderne. Më shumë se 1.9 milionë njerëz janë urdhëruar të evakuohen nga zonat bregdetare, për shkak të rrezikut të një cunami shkatërrues me valë deri në 3 metra.
Rajoni më i prekur është Hokkaido, në veri të vendit, ku 10,500 banorë janë zhvendosur nga autoritetet. Pamjet e transmetuara nga mediat lokale tregojnë qytetarë të mbledhur në çati dhe ndërtesa të larta, duke kërkuar strehim të sigurt.
Evakuime masive po zhvillohen gjithashtu në zonat jugore, përfshirë prefekturën Wakayama dhe Chiba, në jug të Tokios, ku qytetarët janë strehuar në observatorë apo pika të ngritura publike.
Alarm përgjatë gjithë bregdetit lindor të Japonisë
Autoritetet kanë dhënë paralajmërime për evakuim që shtrihen në qindra kilometra përgjatë bregdetit lindor të Japonisë, nga Hokkaido në veri deri në Shikoku dhe Honshu në jug. Dhjetëra valë të fuqishme janë vërejtur tashmë në disa zona, duke rritur shqetësimin për një cunami me pasoja të rënda.
“Çdo vonesë në evakuim mund të jetë fatale. Qytetarët duhet të largohen menjëherë nga zonat bregdetare dhe të kërkojnë strehim në vende të sigurta dhe të larta,” – kanë bërë thirrje autoritetet japoneze.
Qendra për Paralajmërime ndaj Cunameve në Paqësor ka paralajmëruar se vala e cunamit mund të arrijë 1 deri në 3 metra lartësi, me potencial të madh për përmbytje dhe dëmtime të infrastrukturës në zonat urbane dhe rurale bregdetare.