Satelitët e NASA zbulojnë vatrat aktive të zjarrit në Shqipëri dhe Mesdhe, java më e nxehtë e verës

NASA publikon hartën e zjarreve në Mesdhe – Shqipëria në mesin e vendeve më të prekura

Satelitët e NASA-s kanë dokumentuar përmes pamjeve nga hapësira vatrat aktive të zjarrit që kanë përfshirë Shqipërinë dhe të gjithë rajonin e Mesdheut gjatë ditëve të fundit.

Nga Greqia në Spanjë, nga Franca jugore në Qipro e deri në Ballkanin Perëndimor, pamjet satelitore të publikuara nga sistemi i NASA-s tregojnë qartë përhapjen e zjarreve, me pikat e kuqe që shënojnë frontet aktive apo në zhvillim.

Imazhet e publikuara ndahen në tri kategori: vatrat e reja (sot), ato të evidentuara në 24 orët e fundit, dhe vatrat që kanë qëndruar aktive gjatë shtatë ditëve të fundit.

Kjo e fundit përkon me një nga javët më të nxehta të kësaj vere, ku një valë ekstreme të nxehti ka goditur Ballkanin, Italinë dhe pjesën më të madhe të Mesdheut, duke favorizuar shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve masive.

Shqipëria, sipas të dhënave, rezulton të ketë disa vatra aktive, kryesisht në jug të vendit, me situatën më problematike aktualisht në Borsh, Piqeras, Sasaj dhe malin e Shashicës.

Autoritetet vijojnë përpjekjet për përballimin e emergjencës, ndërsa imazhet satelitore të NASA-s shërbejnë edhe si një paralajmërim vizual për shkallën e lartë të rrezikut që po përjeton rajoni nga zjarret dhe ndryshimet klimatike ekstreme.