
Saranda u trondit në mesnatë nga një shpërthim me tritol. Një automjeti të parkuar iu vendos eksploziv, duke e hedhur në erë.
Mjeti u përpi totalisht nga flakët, ndërsa dhjetëra banorë dolën nga banesat nga paniku. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 3.
Hakmarrja duket se është motivi i ngjarjes, pasi pronar i mjetit rezulton Klaus Jaçaj 31 vjeç, i shpallur në kërkim nga policia 3 ditë më parë.
Ai akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi ka ndihmuar dy autorët e plagosjes me armë zjarri Ramadan Zoto (Canaj) dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan 2 të rinj pas sherrit për pronën në bregdet.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K. J., 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas.