Aksident i rëndë në Fushë-Krujë, dërgohen me urgjencë në spital 3 të rinj

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e sotme në aksin “Tapizë-Fushë-Krujë”, ku janë përfshirë dy automjete, një tip Mercedes dhe një Audi.

Sipas Policisë, ngjarja u regjistrua rreth orës 11:00, kur automjeti me drejtues shtetasin E. H., 28 vjeç, u përplas me automjetin që drejtohej nga shtetasi K. D., 19 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur të dy drejtuesit e mjeteve, si dhe pasagjeri në automjetin e 28-vjeçarit, shtetasi S. H., 30 vjeç.

Të tre të lënduarit janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë qytetarë që i japin ndihmën e parë njërit prej të plagosurve.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.