Ish-zyrtarët do mbrohen nga Garda nëse rrezikohen për shkak të detyrës; kërkesa brenda 6 muajve nga largimi

Qeveria ka miratuar një vendim të posaçëm që u jep të drejtë ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë të përfitojnë mbrojtje fizike dhe të banesës nga Garda e Republikës së Shqipërisë, nëse jeta apo familja e tyre rrezikohet për shkak të funksionit që kanë ushtruar më parë.

Sipas vendimit, mbrojtja mund të kërkohet brenda gjashtë muajve nga largimi nga detyra dhe vetëm nëse rreziku lidhet drejtpërdrejt me funksionin e mëparshëm shtetëror. Kjo mbrojtje përfshin ruajtje fizike të individit dhe banesës së tij.

Procedura parashikon që kërkesa të bëhet me shkrim nga vetë i interesuari drejtuar ministrit të Brendshëm, ku duhet të përshkruhen qartë faktet dhe rrethanat që përbëjnë rrezik serioz. Brenda 24 orëve, ministri urdhëron mbledhjen e një Komisioni të Posaçëm për vlerësimin e kërkesës.

Ky vendim është pjesë e përpjekjeve për të garantuar siguri ndaj ish-funksionarëve në raste të rrezikshmërisë reale që rrjedh nga detyra e mëparshme, veçanërisht në sektorë delikatë të shtetit