“Hajdut kronik që vodhe fondet e KQZ” – Ish-sekretari i Nismës shpërthen ndaj Endri Shabanit, përplasja rrezikon mandatin e Lapajt

Përplasjet politike brenda lëvizjes “Nisma Shqipëria Bëhet” po thellohen. Napolon Laska, një nga themeluesit dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i partisë “Nisma Thurje”, ka hedhur akuza të rënda ndaj Endri Shabanit, duke e quajtur “hajdut kronik” dhe duke e akuzuar për manipulim të dokumenteve dhe përvetësim të fondeve të KQZ-së.

Sipas Laskës, Shabani ka shkelur statutin themeltar të partisë, duke qëndruar në mënyrë të paligjshme në krye të saj për përfitime financiare dhe kontroll politik. Kjo deklaratë e fortë vjen në kulmin e tensioneve pas zgjedhjeve të 11 majit, ku avokati Adriatik Lapaj nuk po arrin të marrë mandatin e deputetit në Tiranë, për shkak se daja i Shabanit nuk pranon të dorëhiqet nga lista e mbyllur e koalicionit.

“Ky është kulmi i hipokrizisë politike. Një forcë që predikoi ndryshim e meritokraci, po shndërrohet në një model të keqqeverisjes së brendshme që vetë denonconte dikur,” – shkruan Laska në një postim publik.

Përplasja po hedh dritë mbi prapaskenat e funksionimit të partive të reja, të cilat gjatë fushatës premtuan transparencë, rregulla të reja loje dhe ndarje me modelin e vjetër politik. Akuzat për manipulim të fondeve dhe listave të deputetëve po vënë në pikëpyetje jo vetëm etikën, por edhe ligjshmërinë e funksionimit të këtyre strukturave.

Deri tani, Endri Shabani nuk ka reaguar publikisht për akuzat konkrete të Laskës.