
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte në Gjermani, ku një autobus i kompanisë FlixBus, që udhëtonte nga Kopenhageni për në Vjenë, është përmbysur në autostradën A19, në landin Mecklenburg-Pomerania Perëndimore.
Sipas njoftimeve zyrtare të policisë gjermane, autobusi kishte në bord 55 pasagjerë dhe doli nga rruga pasi humbi kontrollin, për arsye ende të paqarta. Ngjarja ndodhi pranë qytetit të Röbel, ndërsa 20 persona mbetën të plagosur, njëri prej të cilëve është në gjendje kritike për jetën.
Mediat lokale raportojnë se një nga pasagjerët u bllokua për gati dy orë në pjesën e përparme të autobusit të përmbysur, përpara se të nxirrej me ndihmën e pajisjeve speciale nga ekipet e shpëtimit. Ai ndodhet në spital nën kujdes intensiv.
Pasagjerët e tjerë që nuk pësuan lëndime janë transferuar me një mjet tjetër drejt qytetit më të afërt. Autostrada është mbyllur për qarkullimin në drejtim të Berlinit, ndërsa policia dhe shërbimet e emergjencës vazhdojnë punën në terren dhe hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që aksidenti të jetë shkaktuar nga lodhja e shoferit apo kushtet e rrugës, ndërsa dëshmitë e pasagjerëve pritet të ndihmojnë në sqarimin e plotë të ngjarjes.