Miratohet “ligji i madh dhe i bukur” i Trump, përfundon seanca 24-orëshe në Dhomën e Përfaqësuesve

Pas një maratone prej mbi 24 orësh diskutimesh të pandërprera, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan miratoi reformën fiskale dhe buxhetore të propozuar nga presidenti Donald Trump, të cilën ai e ka quajtur “ligji i madh dhe i bukur”.

Ligji kaloi me 218 vota pro dhe 214 kundër, pas një beteje të fortë politike që përfshiu ndryshime të shumta në Senat dhe rezistencë brenda vetë Partisë Republikane. Për të nisur diskutimin mbi ligjin, kryetari i Dhomës Mike Johnson mbajti të hapur votimin procedural për 7 orë, derisa siguroi mbështetjen e mjaftueshme nga radhët e partisë së tij.

Në seancë pati fjalime të shkurtra nga shumë kongresistë, ndërsa lideri i demokratëve, Hakeem Jeffries, e mbylli debatin me një fjalim të gjatë, duke kritikuar përmbajtjen dhe mënyrën e miratimit të ligjit.

Reforma konsiderohet si një ndër nismat më të rëndësishme të administratës Trump në këtë mandat dhe pritet të ketë ndikim të madh në ekonominë dhe financat publike të SHBA-së.