
Fier/ Arrestohen drejtues të “Bankers Petroleum”, në aksionin e përbashkët të Policisë dhe Tatimeve
Një operacion i përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është zhvilluar këtë të martë në ambientet e zyrave qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum”, në qytetin e Fierit.
Gjatë këtij aksioni janë arrestuar ish-drejtori i kompanisë, Leonidha Çobo, dhe drejtori i përgjithshëm aktual, shtetasi kinez Hongping Xiao.
Sipas burimeve paraprake, shkak për arrestimin e tyre dyshohet të jetë një borxh i konsiderueshëm financiar që kompania i ka shtetit shqiptar, si dhe detyrime të pashlyera tatimore ndër vite.
Në ambientet e kompanisë kanë qenë të pranishëm që prej mesditës një furgon i Policisë së Shtetit dhe një automjet me inspektorë të Tatimeve, të cilët kanë ushtruar kontrolle mbi dokumentacionin financiar dhe aktivitetin e shoqërisë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar saktësisht shkeljet ligjore dhe për të identifikuar përgjegjësitë penale të zyrtarëve të arrestuar. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi shumën e borxhit apo periudhën që përfshin kjo çështje.