
Vlorë – Arrestohet 38-vjeçari që ndezi zjarr në mbetje urbane pranë një zone të mbrojtur
Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë vënë në pranga një 38-vjeçar, i cili akuzohet për zjarrvënie të përsëritur në një grumbull mbetjesh urbane, duke ndotur ajrin dhe rrezikuar zonën përreth.
I arrestuari, shtetasi E. I., banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, dyshohet se më datë 30.06.2025, rreth orës 20:50, dhe përsëri më 01.07.2025, rreth orës 12:00, ka ndezur zjarr në mënyrë të qëllimshme në vendin e quajtur “Pika e grumbullimit të inerteve, Jalli, Nartë”.
Zjarri i shkaktuar prej tij ka sjellë ndotje të ndjeshme të ajrit dhe mjedisit, duke rrezikuar seriozisht banesat përreth dhe pyllin e Sodës, një nga zonat e mbrojtura të qytetit.
Policia e ka arrestuar në flagrancë dhe ndaj tij janë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.
Policia e Vlorës u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për të mos rrezikuar mjedisin dhe jetën e të tjerëve, si dhe të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje në numrin 112, ku garantohet anonimati dhe reagimi i menjëhershëm.