
Serbia është përfshirë nga valë protestash masive antiqeveritare, që kanë bllokuar dhjetëra pika kryesore në Beograd dhe në të paktën 22 qytete të tjera. Protestuesit, të udhëhequr nga studentët dhe aktivistët civilë, kërkojnë lirimin e dhjetëra të ndaluarve nga demonstratat e mbajtura më 28 qershor dhe largimin e presidentit Aleksandar Vuçic.
Situata kulmoi kur gjatë protestës në kryeqytet, u shpalos një flamur me hartën e Kosovës të ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë, shoqëruar me parullën “Nuk ka dorëzim”, që ndezi më tej tensionet.
Në Beograd, protestuesit vendosën barrikada metalike dhe kosha plehrash për të bllokuar urën Gazela mbi lumin Sava, duke paralizuar trafikun për orë të tëra. Në Novi Sad, turma e tubuesve rrethoi selinë e Partisë Progresive Serbe (SNS), duke e gjuajtur me vezë në shenjë zemërimi.
Sipas Radio Evropa e Lirë (REL), protesta e 29 qershorit u ndez pas valës së arrestimeve të pjesëmarrësve në tubimin e dy ditëve më parë, me qytetarët që akuzojnë policinë për shtypje politike dhe dhunë. Në total, 30 barrikada u ngritën në zona të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa presioni ndaj Vuçic po rritet ndjeshëm.
Presidenti serb Aleksandar Vuçic ka deklaruar se “agjencitë e zbatimit të ligjit do të vijojnë me shumë më tepër arrestime”, çka ka rritur frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.
Protestat vijnë në një kohë kur klima politike në Serbi është e ndezur, me qytetarët që kërkojnë reforma demokratike, respektim të të drejtave të njeriut dhe ndalim të presionit mbi opozitën. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek nga afër zhvillimet.