
Evropa po përjeton një valë të fuqishme të të nxehtit, me temperatura ekstreme që kanë shkaktuar alarme shëndetësore në disa shtete. Spanja është ndër vendet më të goditura nga kjo valë përvëluese, ku të shtunën në qytetin El Granado është regjistruar temperatura rekord prej 46°C, më e larta e shënuar ndonjëherë në muajin qershor, sipas shërbimit kombëtar meteorologjik.
Në qytete të tjera si Sevilja dhe zonat përreth, temperaturat kanë kaluar 40°C, duke e kthyer këtë qershor në një nga më të nxehtit në historinë e Spanjës. Ekspertët paralajmërojnë se vala e të nxehtit pritet të zgjasë edhe për disa ditë, duke rritur rrezikun për probleme shëndetësore, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Situata është e ngjashme edhe në Portugali, Itali dhe Kroaci, ku është shpallur alarm i kuq për temperaturat ekstreme. Ndërkohë, paralajmërime portokalli janë dhënë për disa rajone të Francës, Austrisë, Belgjikës, Hungarisë, Sllovenisë, Bosnjës e Hercegovinës, Serbisë dhe Zvicrës.
Autoritetet në të gjithë Evropën u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të qëndrojnë të hidratuar dhe të ndjekin këshillat e shërbimeve të emergjencës.
Meteorologët vërejnë se valë të tilla të të nxehtit janë bërë gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike, duke theksuar nevojën për masa të qëndrueshme në mbrojtje të mjedisit dhe shëndetit publik