
Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së politikanit britanik Nigel Farage, i cili pretendoi se “1 në 50 shqiptarë që ndodhen në Britani janë në burg”.
Përmes një postimi në rrjetin X (ish-Twitter), Rama e cilësoi këtë deklaratë si të tejfryrë dhe të pabazuar në fakte, duke sfiduar hapur Farage që të tregojë burimin e shifrave.
🗣 “Nëse është e vërtetë që 1 në 50 shqiptarë në Britani janë në burg, atëherë unë i marr të gjithë në Shqipëri”, – shkruan Rama, duke e ironizuar Farage për etiketimin që ky i fundit i kishte bërë më herët si “burrë gjigand nga një vend i vogël”.
Kryeministri shqiptar u shpreh se ky lloj retorike është stigmatizuese, e dëmshme dhe populiste, dhe se shqiptarët në Britani përfaqësohen më së shumti nga njerëz që punojnë ndershëm dhe kontribuojnë në shoqëri.
Ky reagim vjen në një kohë kur çështja e emigracionit shqiptar në Britani është kthyer sërish në temë të debatit politik, veçanërisht pas rritjes së tensioneve për migracionin e paligjshëm dhe planit të qeverisë britanike për deportime në Ruandë.
Rama ka kërkuar në mënyrë të përsëritur nga autoritetet britanike që të ndajnë emigrantët e ligjshëm nga elementët kriminalë, duke theksuar se nuk duhet të stigmatizohet një komunitet i tërë për veprimet e pak individëve