Megaoperacioni “Ura”: SPAK sekuestron pasuri 12 mln euro ndaj tre trafikantëve droge në Durrës

Tiranë – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, në kuadër të megaoperacionit të koduar “Ura”, që synon goditjen e pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Të sekuestruara janë pasuri të ndryshme në qytetin e Durrësit, të cilat, sipas hetimeve, dyshohet se janë përfituar nga trafiku i drogës. Ato janë në pronësi ose të lidhura me shtetasit Ervin Zeqiri, Juxhin Drazhi dhe një person të tretë, aktualisht nën hetim.

Sipas SPAK, vendimi për sekuestrimin e parë është dhënë nga Gjykata e Posaçme më 20 maj 2025, ndërsa një tjetër vendim për pasuri shtesë është marrë më 20 qershor 2025, dhe u ekzekutua më 27 qershor 2025.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:

  • Një truall me sipërfaqe 282.5 m² dhe ndërtesë 248 m² në Durrës, në bashkëpronësi të E.Z. dhe K.J.
  • Të tjera pasuri të paluajtshme që po administrohen tashmë nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme.

SPAK thekson se hetimet ndaj këtyre personave kanë nisur që në vitin 2019, dhe do të vijojnë për të identifikuar çdo pasuri të dyshimtë që buron nga veprimtaria kriminale.