Vlorë/Kapet 58-vjeçari me doza kokaine e armë pa leje, i dënuar më parë për krime kundër personit

Vlorë – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Vlorës. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në kuadër të kontrolleve intensive në zonat urbane dhe turistike, arrestoi një shtetas me precedent penal, i cili shpërndante lëndë narkotike në disa zona të qytetit.

Në lagjen “10 Korriku”, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin Gj. C. (F)., 58 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se shpërndante doza të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë.

Gjatë kontrollit fizik dhe më pas në banesë, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

  • Doza me kokainë dhe kanabis
  • Një peshore elektronike
  • Një armë sportive (pistoletë) e cila rezultoi pa leje

Pas përfundimit të veprimeve procedurale, Policia arrestoi 58-vjeçarin për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.