Pas luftës me Izraelin, Irani nis fushatë arrestimesh dhe ekzekutimesh për “spiunazh”, shpërthen frika e rikthimit në vitet ’80

Pas përfundimit të konfliktit 12-ditor me Izraelin, autoritetet iraniane kanë nisur një fushatë të gjerë arrestimesh dhe ekzekutimesh, duke goditur dhjetëra persona nën akuza për spiunazh dhe bashkëpunim me inteligjencën izraelite dhe perëndimore.

Sipas mediave shtetërore dhe burimeve të sigurisë, regjimi pretendon se ka zbuluar një infiltrimi të paprecedentë të rrjeteve të huaja, të cilat thuhet se kontribuan në goditjet ndaj komandantëve të Gardës Revolucionare dhe shkencëtarëve bërthamorë gjatë luftës. Deri tani janë ekzekutuar të paktën gjashtë persona, ndërsa mbi 700 janë arrestuar, sipas agjencisë Fars.

Televizioni shtetëror ka transmetuar rrëfime të detyruara nga të ndaluarit, gjë që ka shkaktuar alarm në organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë paralajmëruar për rikthimin e proceseve të padrejta dhe ekzekutimeve pa transparencë.

Shtypje ndaj medias dhe diasporës iraniane

Fushata goditëse ka prekur edhe gazetarët iranianë në mërgim. BBC Persian, Iran International dhe Manoto TV raportojnë se familjet e stafit të tyre janë arrestuar apo kërcënuar, për t’i detyruar të dorëhiqen publikisht. Në një rast të dokumentuar, një prezantuese nga Londra është kërcënuar përmes një telefonate të inskenuar nga babai i saj, i arrestuar në Teheran.

Gazetarët e diasporës janë etiketuar nga regjimi si “mohareb” – “armiq të Zotit” – akuzë që sipas ligjit iranian mund të sjellë dënimin me vdekje.

Shtypje digjitale dhe përndjekje të brendshme

Autoritetet kanë intensifikuar censurën digjitale, duke bllokuar Instagram, Telegram, X, YouTube dhe mediat ndërkombëtare. Aktivistë, shkrimtarë dhe artistë janë arrestuar pa akuza zyrtare, ndërsa përndiqen edhe të afërmit e viktimave të protestave “Gruaja, Jeta, Liria” të vitit 2022.

Atmosferë e viteve 1980 rikthehet në Iran

Analistët paralajmërojnë për një kthim në atmosferën represive të viteve ’80, kur pas luftës Iran-Irak, mijëra kundërshtarë politikë u ekzekutuan në procese të fshehta. Referencat ndaj masakrave të vitit 1988 janë rikthyer në diskursin publik, duke ngritur frikën për një tjetër faqe të errët në historinë iraniane.

Zyrtarët iranianë thonë se po mbrojnë shtetin nga “rrjete spiunazhi perëndimor”, por kritikët e shohin këtë si një përpjekje për konsolidim autoritar të pushtetit dhe shtypje të çdo zëri opozitar në klimën e pasluftës që ka lënë vendin të brishtë dhe të ekspozuar