
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një intervistë për gazetarin amerikan Alex Newman në emisionin “Conversations That Matter”, ku ka folur për situatën aktuale politike në Shqipëri dhe ndikimin ndërkombëtar në zhvillimet e brendshme.
Në intervistë, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për lidhje me kartelet e drogës dhe për ushtrimin e një kontrolli të plotë mbi drejtësinë dhe mediat në vend. Ai e cilësoi Shqipërinë si “Republika e George Soros-it”, duke pohuar se reformat kushtetuese, gjyqësore dhe zgjedhore janë diktuar nga fondacioni Soros, me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Berisha paralajmëroi se modeli autoritar i Shqipërisë, sipas tij, po rrezikon të përhapet edhe në vendet perëndimore, përmes drejtësisë së politizuar, censurës dhe ekstremizmit të majtë. Ai u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të reagojnë dhe të mbrojnë liritë themelore përballë këtyre zhvillimeve.
Gazetari Alex Newman prezantoi Berishën si një ikonë të lëvizjes antikomuniste, duke kujtuar rolin e tij historik si presidenti i parë i zgjedhur demokratikisht në Shqipëri dhe më pas si kryeministër nga viti 2005 deri më 2013. Newman theksoi se Shqipëria, nën drejtimin e Berishës, u afrua me Perëndimin, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, ndërsa sot po përballet me akuza serioze për kapje të shtetit.
Në intervistë u përmendën edhe përplasjet e Berishës me presidentin amerikan Joe Biden dhe Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, si dhe thirrja e tij që qeveria amerikane të shpallë kartelet e drogës që, sipas tij, kanë kapur Shqipërinë, si organizata terroriste