
E rëndë/ Gjenden 5 trupa emigrantësh me duar e këmbë të lidhura në ishullin VIP
Një ngjarje tronditëse është zbuluar pranë ishujve turistikë Formentera dhe Ibiza në Spanjë, ku janë gjetur pesë trupa të pajetë me duar dhe këmbë të lidhura. Viktimat dyshohet se ishin emigrantë që po përpiqeshin të kalonin me anije nga Algjeria drejt Spanjës, një rrugë e njohur për rrezikun dhe tragjeditë që ka shkaktuar ndër vite.
Sipas Gardës Civile spanjolle, trupat janë gjetur duke pluskuar në Detin Balearik, ndërsa veshur kishin jelekë shpëtimi portokalli. Mënyra si janë gjetur trupat – të lidhur dhe të pajisur me mjete shpëtimi – ka ngritur dyshime të forta për vrasje të paramenduar.
Trupi i parë u zbulua më 18 maj nga një anije private me flamur belg pranë Formenterës. Pas alarmit, ndërhyri anija patrulluese “Río Segura”, e cila bëri të mundur nxjerrjen e kufomës nga deti. Në ditët pasuese u gjetën edhe katër trupa të tjerë në kushte të ngjashme.
Të gjitha trupat janë dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor dhe janë marrë mostra ADN-je për identifikim. Hetuesit dyshojnë se viktimat mund të jenë eliminuar nga rrjete trafikantësh njerëzish, të cilat kontrollojnë udhëtimet e paligjshme përmes detit. Prangosja e tyre përpara hedhjes në det përjashton mundësinë e një aksidenti dhe forcon pistën e një krimi të rëndë ndërkombëtar.
Policia spanjolle ka nisur një hetim të thelluar për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Autoritetet ndërkombëtare të sigurisë janë vënë në lëvizje për të ndjekur të gjitha gjurmët e mundshme që lidhen me këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik