Nis aksioni në “Lungomare”: Policia heq tavolinat dhe karriget e bizneseve përgjatë shëtitores

Një tjetër aksion për lirimin e hapësirave publike ka nisur në shëtitoren “Lungomare” në Vlorë, duke vënë në fokus bizneset që kanë zënë trotuaret dhe hapsirat e lira me tavolina e karrige gjatë sezonit turistik.

Aksioni nisi mbrëmjen e së premtes dhe vijoi mëngjesin e së shtunës, ku Policia Bashkiake, në bashkëpunim me strukturat e Bashkisë së Vlorës, ndërhyri për largimin fizik të objekteve që sipas autoriteteve kanë zënë hapësirat publike në mënyrë të paligjshme.

Bashkia u ka drejtuar një njoftim të gjitha subjekteve private, duke u kërkuar që të lirojnë hapësirat në mënyrë vullnetare. Megjithatë, pjesa më e madhe e bizneseve të kontrolluara rezulton se kishin leje për vendosjen e tavolinave, të lëshuara më herët nga vetë institucionet përkatëse.

Kjo ka sjellë reagime dhe pakënaqësi nga disa pronarë lokalesh, të cilët pretendojnë se janë penalizuar edhe pse kanë respektuar kushtet e marrëveshjes me bashkinë.

Autoritetet vendore nuk kanë dhënë ende një sqarim nëse aksioni po shtrihet edhe ndaj subjekteve me leje ekzistuese, apo në rastet ku është konfirmuar tejkalim i hapësirës së miratuar.