
Turki Al-Jasser, gazetari saudit i arrestuar në vitin 2018 nën akuza për terrorizëm dhe tradhti të lartë, është ekzekutuar këtë të shtunë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve të Arabisë Saudite.
Sipas burimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Al-Jasser besohet se u dënua për shkak të një llogarie anonime në Twitter, përmes së cilës denonconte korrupsionin dhe shkeljet e familjes mbretërore saudite. Aktivistët dyshojnë se ai u identifikua si autor i asaj llogarie përmes hakimit dhe ndarjes së të dhënave nga brenda platformës.
Al-Jasser kishte paralajmëruar publikisht fatin e tij në vitin 2014, përmes një postimi që sot konsiderohet profetik:
“Shkrimtarët arabë mund të vriten lehtësisht nga qeveritë e tyre, nën pretekstin e sigurisë kombëtare.”
Ekzekutimi i tij, pas 7 vitesh burg, u dënua gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare për liritë civile, duke e cilësuar si një akt tronditës ndaj lirisë së shprehjes në Arabinë Saudite.
Turki Al-Jasser është gazetari i parë i ekzekutuar nën regjimin e princit Mohammed bin Salman dhe i dyti në botë që nga viti 2020, kur u ekzekutua gazetari iranian Ruhollah Zam.