
Ballkani mund të shndërrohet në skenën e radhës të një përplasjeje të fortë spiunazhi mes Perëndimit dhe Rusisë. Pretendimet vijnë nga gazetari dhe eksperti ushtarak rus, Igor Korotçenko, i cili duke cituar burime të tij, pohon se inteligjenca britanike MI6 po përgatitet për një kundërpërgjigje ndaj Rusisë, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në rajonin e Ballkanit.
Sipas Korotçenkos, Britania e Madhe po rrit ndjeshëm aktivitetin e saj në vende si Serbia, Kosova, Bosnje dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, me qëllim për të frenuar ndikimin rus dhe për të mbështetur opozitën në vendet ku Moska ka ndikim të fortë. Ai thekson se në qendër të këtij skenari është “revolucioni me ngjyra”, një model ndërhyrjeje që synon ndryshime të pushtetit përmes protestave masive dhe destabilizimit politik.
“MI6 ka agjentë të kualifikuar dhe rezidentë me përvojë në rajon, disa prej të cilëve kanë shërbyer më parë në poste drejtuese në Ambasadën Britanike në Moskë,” deklaron Korotçenko për median ruse “Mbrojtja Kombëtare”.
Ai vë në pikëpyetje aftësinë e Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA) për të përballuar këtë sfidë, duke paralajmëruar se beteja e inteligjencës në Ballkan është vetëm në fillimet e saj. Ndërkohë, as MI6 dhe as autoritetet britanike nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi këto pretendime