
Në prag të përballjes më të rëndësishme të Grupit K në Kualifikueset e Botërorit 2026, Kombëtarja shqiptare është gati të zbresë në fushë ndaj Serbisë. Trajneri Sylvinho ka përgatitur gjithçka dhe gjatë konferencës për shtyp konfirmoi se formacioni startues është vendosur tashmë.
Sipas raportimeve të gazetarit Endi Tufa nga Top Channel, Shqipëria do të rreshtohet me skemën 4-3-3. Në portë do të jetë Strakosha, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Hysaj e Mitaj në krahë dhe Gjimshiti me Ajetin në qendër. Mesfusha do të përbëhet nga treshja e zakonshme: Ramadani, Asllani dhe Laçi.
Surpriza më e madhe vjen në repartin ofensiv, ku Sylvinho ka përzgjedhur Arbër Hoxhën dhe Armando Brojën në krahë, ndërsa në majë të sulmit do të jetë Mirlind Daku. Ky vendim lë jashtë formacionit titullar emra të rëndësishëm si Bajrami, Asani dhe Manaj, ky i fundit me shqetësime fizike në ditët e fundit.
Sfida ndaj Serbisë pritet të jetë një test i madh për kuqezinjtë, të cilët synojnë një fitore që do t’i afrohej më shumë ëndrrës së Botërorit.