Europa në luftë për katër vite? Paralajmërimi i gjeneralit gjerman: Rusia mund të sulmojë NATO-n

Screenshot

Shefi i Mbrojtjes i Gjermanisë, gjenerali Carsten Breuer, paralajmëron se NATO duhet të jetë gati për luftë, pasi Rusia mund të sulmojë aleancën brenda katër viteve të ardhshme. Në një intervistë për BBC, ai tha se Rusia po prodhon qindra tanke çdo vit, shumë prej të cilave mund të përdoren për një sulm ndaj shteteve baltike anëtare të NATO-s deri në vitin 2029 ose edhe më herët.

Gjenerali Breuer theksoi se NATO po përballet me një kërcënim shumë serioz nga Rusia, të cilin nuk e ka parë gjatë 40 viteve të tij në shërbim. “Duhet të jemi të përgatitur që sot, sepse nuk mund të garantoj se sulmi nuk do të ndodhë më herët se viti 2029,” tha ai.

Ai bëri thirrje që NATO të mbetet e bashkuar në mbështetje të Ukrainës dhe kërkoi nga vendet evropiane që të rrisin kapacitetet e tyre ushtarake. Gjenerali shtoi se do të duhen vite që baza industriale ushtarake e Evropës të arrijë nivelin e prodhimit që ka Rusia, ndërkohë që SHBA-të po pakësojnë angazhimin e tyre mbrojtës në Europë, duke u fokusuar më shumë në rajonin Indo-Paqësor.

Komentet e gjeneralit Breuer vijnë pak javë para samitit të NATO-s në Hagë, ku do të diskutohet edhe buxheti i mbrojtjes dhe strategjitë e aleancës.