“Rrjeta e Merimangës” godet thellë në Rusi: Ukraina shkatërron 40 avionë në baza strategjike ushtarake

Ukraina ka kryer një nga operacionet më të guximshme dhe të sofistikuara të luftës, duke goditur thellë në territorin rus me një sulm masiv me dronë kamikazë. Sulmi, i koduar si “Operacioni Rrjeta e Merimangës”, synoi dy prej bazave më të rëndësishme ushtarake të Rusisë, Olenya në rajonin Arktik të Murmanskut dhe Belaya në Siberinë Lindore.

Sipas burimeve ndërkombëtare, të paktën 40 avionë luftarakë rusë janë shkatërruar, ndërsa Moska pretendon se ka zmbrapsur pjesën më të madhe të sulmeve. Megjithatë, pamjet satelitore dhe dëshmitë në terren tregojnë zjarre masive dhe shpërthime të fuqishme që kanë zgjatur për orë të tëra në të dyja bazat.

Dronët, të nisur nga kamionë të maskuar pranë bazave ajrore, goditën me saktësi objektivat ushtarake, duke tronditur strukturat strategjike të mbrojtjes ruse. Baza si Olenya dhe Belaya konsideroheshin prej kohësh të paprekshme dhe përbëjnë pjesë kyçe të kapaciteteve bërthamore të Kremlinit.

Ky operacion sinjalizon një avancim të dukshëm në kapacitetet logjistike dhe teknologjike të Ukrainës, duke sfiduar ndjeshëm doktrinën mbrojtëse të Rusisë. Analistët ushtarakë e cilësojnë sulmin si një paralajmërim të qartë për dobësitë në sistemin e mbrojtjes ajrore të Moskës.