
Një qytetar nga Shkodra, Gjovalin Mikaj, ka denoncuar në polici zhdukjen e bashkëshortes së tij Klaudia Hiluku dhe djalit të tyre 2-vjeçar. Sipas deklaratës së tij, ai ka humbur kontaktet me ta prej dy ditësh dhe nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre.
Mikaj thotë se është i shqetësuar për fatin e të birit dhe ka kërkuar ndihmë publike për ta gjetur. “Nuk dua të di për gruan, dua vetëm djalin tim. Kam frikë se mos ia ka bërë ndonjë të keqe,” është shprehur ai për mediat.
Ai tregon se kjo nuk është hera e parë që Klaudia largohet pa paralajmërim, duke braktisur edhe fëmijën. “Kam pasur raste kur më ka lënë djalin për muaj të tërë, e më pas është kthyer sikur s’ka ndodhur gjë,” tha Mikaj.
Sipas tij, edhe familjarët e bashkëshortes nuk kanë dhënë ndonjë informacion të vlefshëm, duke u shprehur se nuk kanë kontakte me të dhe nuk janë të interesuar për veprimet e saj.
“Kam një hall sepse më ka ikur gruaja dhe më ka marrë edhe djalin. Kam frikë mos e ka shitur, nuk di ku ndodhet. Kam bërë denoncim në polici por nuk kam marrë përgjigje. E kam mbajtur vetë djalin për tre muaj, pastaj ajo iku në Itali dhe ma la në rrugë. Për atë djal jap jetën, dua vetëm djalin,” tha ai.
Policia e Shkodrës ka marrë në shqyrtim denoncimin dhe është në kërkim të gruas dhe fëmijës, ndërsa hetimet janë në vijim.