
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi sot për mediat se procesi i numërimit të votave të diasporës po vijon normalisht dhe deri tani janë përpunuar rreth 35% e tyre.
Ai theksoi se nuk ka asnjë vendim për bllokimin e zarfeve të ardhura nga jashtë, duke reaguar ndaj spekulimeve që qarkulluan më herët në media.
“Deri më tani janë numëruar 35% e votave të diasporës. Për qarkun Kukës, procesi i numërimit ka përfunduar, me përjashtim të 71 zarfeve të ardhura nga Greqia,” – u shpreh Celibashi.
Ai shtoi se për këto zarfet nga Greqia ende nuk ka një vendim përfundimtar nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) dhe se po pritet arsyetimi përkatës.
“Vlerësimi i zarfeve të ardhura nga Greqia do të bëhet patjetër. Nuk ekziston asnjë vendim i Komisionerit Shtetëror për t’i bllokuar ato,” – nënvizoi ai.
Deklarata e Celibashit vjen në një moment kur ka interes dhe debat të lartë mbi votën e diasporës dhe ndikimin e saj në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare 2025.