Tragjedia në Klos – Vijojnë kërkimet për trupin e 29-vjeçarit të zënë nga dheu në fabrikën e kromit ne Bashkine Klos

Vijojnë me intensitet përpjekjet për gjetjen e trupit të 29-vjeçarit që u zuri dheu teksa punonte me ekskavator në zonën e njohur si “Qafa e Burrelit”, në ambientet e fabrikës së përpunimit të kromit në territorin e bashkisë Klos. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë operacioneve të kompanisë që operon në shfrytëzimin e mineraleve në zonë, kur një masiv dheu mbuloi ekskavatorin dhe punonjësin brenda tij.

Menjëherë pas alarmit, janë angazhuar forca të shumta në një operacion kompleks shpëtimi. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se në terren ndodhen:

  • Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i bashkisë Klos,

  • Forcat e Policisë,

  • Punonjës të AKSEM-it (Autoriteti për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera),

  • Ekip mjekësor me autoambulancë,

  • Forca vullnetare nga komuniteti,

  • Efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje për zbulimin e metaleve,

  • Përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Rrëshqitja ka përfshirë një masiv të madh dheu, me përmasa rreth 500 metra gjatësi, 20 metra gjerësi dhe mbi 4 metra thellësi, duke e bërë terrenin të pasigurt dhe të vështirë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë me mjete të rënda. Për këtë arsye, operacioni po kryhet me kujdes ekstrem për të shmangur rrezikun e rrëshqitjeve të tjera.

Aktualisht është bërë e mundur hapja e një segmenti të luginës për ndërhyrje me ekskavatorë, por përpjekjet për lokalizimin dhe nxjerrjen e trupit të 29-vjeçarit nuk kanë dhënë ende rezultat. Operacioni i kërkimit vijon pa ndërprerje, nën koordinimin e institucioneve përkatëse dhe me respektimin rigoroz të protokolleve të sigurisë.