Emmanuel Macron rikthehet në Shqipëri, viziton sërish Tiranën në mes të majit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të vizitojë sërish Shqipërinë në mes të muajit maj, një vit e gjysmë pas vizitës së tij historike në Tiranë më 16 tetor 2023 – e para nga një president francez në vendin tonë.

Këtë herë, vizita e Macron përkon me zhvillimin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbledhë në Tiranë liderët më të rëndësishëm të Evropës. Vizita zyrtare pritet të sjellë vëmendje të shtuar ndërkombëtare ndaj Shqipërisë dhe rajonit.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në një deklaratë për mediat gjatë një takimi me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad, theksoi rëndësinë e kësaj vizite. “Kjo vizitë është dëshmi e forcimit të marrëdhënieve mes vendeve tona, veçanërisht në vitet e fundit,” u shpreh Hasani.

Ai shtoi se vizita e Macron në muajin maj është edhe një moment i rëndësishëm për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe për të forcuar mbështetjen e Francës në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

Gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, Macron u prit nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj, si dhe nderoi shkrimtarin e ndjerë Ismail Kadare me dekoratën më të lartë të Francës: “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit.”

Vizita e ardhshme pritet të jetë një tjetër moment domethënës për marrëdhëniet shqiptaro-franceze dhe për rolin e Shqipërisë në skenën evropiane.