
Në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, vizitoi familjen e Dritson Kurtit, i cili është arrestuar pasi u bë baba me një vajzë 13-vjeçare – një rast që ka tronditur opinionin publik dhe ka ngjallur debat rreth martesave në moshë të mitur në komunitetin rom.
“Kam ardhur për arsye njerëzore. E kuptoj pozicionin e drejtësisë, por sot është një ditë që na kujton se shumë familje të këtij komuniteti përballen me sfida të ngjashme,” u shpreh Peleshi.
Ai theksoi se përballja me martesat në moshë të mitur nuk mund të reduktohet vetëm në masa penale. “Ligji është i qartë, por realiteti kërkon më shumë. Kjo nuk është vetëm çështje juridike, por një plagë sociale që kërkon zgjidhje me edukim, ndërgjegjësim dhe përfshirje të komunitetit.”
Sipas tij, edhe vetë komuniteti rom po tregon shenja ndryshimi. “Ka një vetëdije të re që po lind. Shumë pranojnë se kjo traditë duhet të marrë fund. Por paragjykimet dhe mungesa e informacionit janë ende pengesa të forta.”
Peleshi bëri thirrje për një angazhim të gjerë – nga institucionet, shoqëria civile dhe vetë komuniteti – për të ndalur praktikat që dëmtojnë të miturit. Ai e përmbylli mesazhin e tij me një thirrje për reflektim shoqëror: “Koha për ndryshim ka ardhur. Kjo nuk është vetëm çështje e drejtësisë, por edhe e ndërgjegjes sonë kolektive.”