
Një zjarr i madh në një pikë grumbullimi dhe trajtimi mbetjesh në Paris mbuloi një pjesë të qytetit me tym të dendur nga mbrëmja e së hënës deri në orët e para të së martës. Mbi 100 zjarrfikës u angazhuan për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa pamjet nga vendngjarja treguan përmasat e mëdha të incidentit.
Autoritetet i bënë thirrje banorëve të zonës përreth të qëndronin në banesa, me dritaret të mbyllura, si dhe të kërkonin ndihmë mjekësore në rast të vështirësive në frymëmarrje. Megjithatë, në mëngjesin e së martës, këto masa paraprake u hoqën, pasi analizat e para nuk treguan prani të lartë të substancave toksike në ajër.
Ministrja e Tranzicionit Ekologjik deklaroi se matjet paraprake nuk zbulojnë elementë të rrezikshëm. Por, sipas mjekëve, përbërja e tymit që lëshohet nga djegia e mbetjeve urbane – plastikë, metale, substanca organike dhe kimike – mund të përmbajë grimca të dëmshme si monoksidi i karbonit, dioksina dhe metale të rënda, të cilat janë veçanërisht të rrezikshme për personat me sëmundje të frymëmarrjes.
Airparif bëri të ditur se niveli i ndotjes së ajrit në rajonin e Île-de-France është aktualisht nën kufijtë e lejuar, ndërsa kushtet atmosferike po ndihmojnë në shpërndarjen e ndotësve. Megjithatë, parashikimet tregojnë se cilësia e ajrit mund të kalojë në nivele mesatare ose të përkeqësohet, me ozonin si ndotësin kryesor.
Kryetari i bashkisë shprehu shqetësimin për erërat e rënda dhe tymrat që ende ndihen në zonë. Ai kërkoi zgjerimin e matjeve të cilësisë së ajrit edhe në komunat përreth, përfshirë Hauts-de-Seine, për të vlerësuar më mirë ndikimin e incidentit në shëndetin publik dhe mjedis.